
Mbrojtësi Bujar Pllana pritet të jetë një nga afrimet më të reja të Kombëtares Shqiptare për ndeshjen e muajit mars ndaj Polonisë. Edhe pse trajneri Silvinjo është përpjekur ta mbajë diskrete këtë lëvizje për mediat, FIFA ka publikuar listën paraprake të futbollistëve që kanë marrë ftesë nga përzgjedhësi brazilian, duke zbuluar kështu edhe emra të rinj.
Pllana, 24 vjeç, është me origjinë nga Mitrovica dhe aktivizohet në pozicionin e mbrojtësit qendror. Aktualisht ai luan në kampionatin polak me skuadrën e Lekia Gdansk, ku deri më tani ka regjistruar 12 ndeshje në të gjitha garat, mes kampionatit dhe kupës.
Karrierën e tij e ka nisur në futbollin kosovar, ku ka qenë pjesë e disa skuadrave si Prishtina, Feronikeli dhe Trepça. Më pas ai u transferua në Kroaci, ku u aktivizua me ekipin e Slaven Belupos, përpara se të kalonte në kampionatin polak.
Shtatlartësia dhe prania fizike në mbrojtje konsiderohen si ndër pikat e forta të lojtarit, elemente që mund të kenë ndikuar në vendimin e stafit teknik të Shqipërisë për ta përfshirë në planet e Kombëtares. Sipas informacioneve të publikuara, Silvinjo mund të ketë shfrytëzuar momentin për të afruar në skuadër një tjetër futbollist me origjinë nga Kosova.
Përveç rolit në qendër të mbrojtjes, Pllana është në gjendje të aktivizohet edhe në krahun e djathtë të repartit defensiv, duke i ofruar trajnerit një alternativë shtesë taktike për sfidat e ardhshme të Kombëtares.
Lini një Përgjigje