TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Janar 2026, 22:33

U eliminuan në Kupën e Greqisë nga OFI i Kretës, presidenti i AEK-ut paralajmëron Tomas Strakoshën dhe ekipin e tij

Shkruar nga Pamfleti

U eliminuan në Kupën e Greqisë nga OFI i Kretës, presidenti

Presidenti i AEK-ut, Marios Iliopulos, ka reaguar ashpër pas eliminimit të papritur të skuadrës nga OFI i Kretës në Kupën e Greqisë, duke vendosur një gjobë prej 400 mijë eurosh për futbollistët e ekipit të parë.

Sipas vendimit të aksionerit kryesor të klubit, lojtarët do të shmangin pagesën e gjobës vetëm nëse arrijnë të fitojnë tre ndeshje radhazi në kampionat: ndaj Panathinaikosit në shtëpi, kundër Asteras Tripolis në transfertë dhe përballë Olimpiakosit sërish në shtëpi. Me këtë masë, Iliopulos ka dashur t’u dërgojë një mesazh të qartë futbollistëve se humbjet dhe paraqitjet zhgënjyese shoqërohen me pasoja konkrete, edhe pse së fundmi ai kishte shpërndarë bonuse pas një fitoreje të madhe të ekipit.

Në një takim me skuadrën, pronari i AEK-ut u foli lojtarëve me tone të rrepta, mes të cilëve edhe portierit shqiptar, Thomas Strakosha, duke e cilësuar rezultatin ndaj OFI-t si “të papranueshëm dhe pa asnjë alibi”. Ai theksoi se ndeshjet vendimtare që po vijnë janë një test real për karakterin dhe cilësinë e skuadrës.

Rezultati i djeshëm është i papranueshëm. Duhej ta kishit fituar atë ndeshje. Gjobën nuk do ta shtyj si herët e tjera: ajo do të paguhet patjetër, nëse nuk fitojmë tri ndeshjet e ardhshme”, mësohet të ketë deklaruar Iliopulos.

Një pjesë e konsiderueshme e shumës së gjobës do të destinohet për AEK-un amator, me qëllim mbështetjen e atletëve që përfaqësojnë klubin në sportet amatore, pavarësisht vështirësive financiare. Ndërkohë, pjesa tjetër do t’i dhurohet një organizate bamirësie të përzgjedhur nga OFI, si shenjë respekti për fitoren e arritur në mënyrë të ndershme në një ndeshje eliminatore.

Në përfundim të fjalës së tij, Iliopulos u shpreh se beson ende te lojtarët dhe i ftoi ata të tregojnë në fushë pasion, vetëbesim dhe përkushtim, duke e kthyer këtë dështim në një pikënisje për sukseset e ardhshme të AEK-ut.

marios iliopulos presidenti i aek-ut thomas strakosha

Lini një Përgjigje