
Prokuroria Publike e Torinos ka hapur një hetim për 171 tifozët e Juventusit që morën një ndalim në hyrje të stadiumeve pas fyerjeve raciste ndaj Romelu Lukakut gjatë gjysmëfinales së kupës së Italisë.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, hipoteza e krimit është ajo e nxitjes së propagandës së urrejtjes racore. Në fund të takimit, qendërsulmuesi i Interit u bë tabelë qitjeje nga ofendimet të ndryshme diskriminuese, para dhe pas golit 1-1.
Falë sistemeve të vëzhgimit me video të stadiumit “Allianz”, janë identifikuar të gjithë tifozët dhe tashmë rrezikojnë dënimin.
Kujtojmë se Lukaku ka qenë shpesh pre e sulmeve racore si në fushë ashtu dhe në rrjetet sociale. Raste të tilla nuk ka pasur vetëm në Itali por edhe gjatë kohës kur luante në Angli. Federata e Futbollit në të gjithë Evropën prej kohësh kanë nisur një fushatë kundër diskriminimit racor.
Lini një Përgjigje