Sfida e sotme mund të jetë deçizive, pasi një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do të bënte që Kombëtarja kuqezi zyrtarisht të ishte në "play-off" e Kupës së Botës 2026 si e dyta e grupit, për të kërkuar një biletë në finalet që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut. Një gjë e tillë do ndodhte për herë të parë në historinë e futbollit tonë, andaj tri pikët janë detyrim, por me një sy edhe në Londër, ku duket se Anglia e kualifikuar e ka një ‘kafshatë’ të lehtë Serbinë, pasi kujtojmë se në Beograd i shënoi 5 herë.
Starton ndeshja në “Estadi de la FAF“ mes Andorrës dhe Shqipërisë. Kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të mbajtur gjallë kualifikimin në “play off-in” e Kampionatit Botëror, por nga ana tjetër kanë edhe njërin sy nga Londra, ku shpresojnë që Anglia të mposhtë Serbinë.
Nëse Shqipëria do të arrijë të fitojë dhe nëse Anglia do të mundë Serbinë në “Wembley”, atëherë vendi i dytë skuadra e drejtuar nga Silvinjo do të sigurojë automatikisht vendin e dytë.
Sa i përket historisë së përballjeve të Shqipërisë më Andorrën, kuqezinjtë janë të favorizuar, pasi në të shkuarën dy kombëtaret janë përballur 8 herë me njëra-tjetrën, me Shqipërinë që ka 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje ndaj Andorrës.
Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun "Rothmans" dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.
Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se më 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në "Elbasan Arena" për kualifikueset e “EURO 2020”.
Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve.
Kur duhen edhe 2 sfida nga fundit i fazës në grupe të eliminatoreve, Andorra mban vendin e fundit në grupin kualifikues, ndërsa Shqipëria në vendin e dytë me 11 pikë. Serbia ndjek në vendin e tretë me një pikë më pak.
Nëse Shqipëria do të jetë një nga 48 skuadrat më të forta të botës për t’u futur në fazën finale të Botërorit, atëherë shpërblimi do të jetë rreth 9 milionë euro, dhe më pas çdo fitore ka një shpërblim prej rreth 1.5 milionë euro dhe 500 mijë euro barazimi. Pra, një sukses sa sportiv aq edhe financiar për të përmbushur projektet e futbollit vendas.
Kuqezinjtë në “play-off” mund të përballen me kundërshtarë si Polonia, Çekia, Sllovakia apo Italia. Por deri atëherë këto mund të ndryshojnë dhe ka ende kohë, pasi këto përballje luhen në muajin mars të vitit 2026.
Drejtësi në këtë takim do të vendosë rumuni Horațiu Feshnic, i cili do të mbështetet nga bashkëkombësit e tij Valentin Avram dhe Aleksandër Cerei në krah, ndërsa i katërt Rares Vidikan. VAR-i gjithashtu është i përbërë nga rumunë, me Ovidiu Hategan dhe Adrian Kostreie.
Pak më parë, Silvinjo publikoi edhe formacionin zyrtar. Në portë do ta nisë Strakosha, ndërsa mbrojtja është e përbërë nga Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë janë përzgjedhur Asllani, Shehu dhe Laçi më i avancuar, ndërsa në sulm, Broja dhe Hoxha, që cilësohet si surpriza e vetme e kësaj 11-she, do të mbështesin Rei Manajn në qendër.
Sfida mes Andorrës dhe Shqipërisë do të luhet në temperatura relativisht të ulëta. Gjatë fillimit të ndeshjes, temperaturat pritet të jenë rreth 7 gradë, ndërkohë që mund të zbresin edhe me 2 gradë deri në përfundim të takimit. Megjithatë, pozitiv është fakti se do të jetë mot i kthjellët dhe nuk pritet që të ketë reshje shiu.
Lini një Përgjigje