
Në një botë ku liria e shtypit dhe demokracia për të dhënë opinionin, mendimin dhe për të bërë analizën sipas një këndvështrimi që ndoshta nuk i pëlqen dikujt ose disave, jemi shpesh “spektatorë” të kufizimeve që janë e vetmja vegël në dorë për të dhënë një sinjal ndaj medias së lirë dhe shtypit. Dhe një gjë e tillë, sipas gazetarëve të “Dukagjini TV” – ka ndodhur së fundmi në Kosovë, pasi i është mohuar e drejta për të ndjekur përfaqësuesen e Kosovës në stadium dhe i janë mbyllur dyert e tribunës së shtypit.
Komunikata e “TV Dukagjinit”: “Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me në krye Agim Ademin, vazhdon të injorojë një nga mediat më të mëdha në vendin tonë, “TV Dukagjini”.
Si shumë herë të tjera, edhe kësaj radhe, shtëpia e futbollit kosovar nuk ka akredituar gazetarët e “TV Dukagjinit” për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Kosovës dhe Qipros, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pavarësisht kërkesës së “TV Dukagjinit” të dërguar javë më parë, FFK nuk ka ndërmend të akreditojë median, i cili me emisionet e saj sportive “Dueli Sportiv” dhe “Dueli Ditor” pasqyron ditë për ditë dhe javë për javë ngjarje nga futbolli vendas.
Televizioni ka mësuar se nuk janë akredituar edhe disa gazetarë të tjerë sportiv të mediave të shkruara, si “Gazeta Blic” dhe “Nacionale”.
FFK nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e mediave për akreditim. Në disa raste në të kaluarën, kërkesa nuk është miratuar me arsyetimin “për shkak të numrit të kufizuar në tribunën e mediave”.
Jo vetëm për çështjen e akreditimit. FFK është ftuar në plot raste nga “TV Dukagjini”, në emisionin sportiv që transmetohet të dielën “Dueli Sportiv” që të dërgojë ndonjë përfaqësues të saj për të diskutuar rreth zhvillimeve në futbollin kosovar. Nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Televizioni nuk ka marrë përgjigje as kur ka kërkuar nga shtëpia e futbollit kosovar informacione për tema të cilat i ka trajtuar ato në emision ose në kronika televizive.”
Lini një Përgjigje