
Ish-sulmuesi i Kombëtares dhe ish-drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare në një intervistë në emisionin ‘’Sport Focus’’ në “Ora News” analizoi paraqitjet e kuqezinjve.
Tare foli pozitivisht për sulmuesin Indrit Tuci i cili luajti dje ndeshjen e tij të parë si titullar për Shqipërinë ku dha dhe asistin për golin e fitores që u shënua nga Asllani.
Nga ana tjetër, Tare theksoi se një kritikë për Silvinjon do të ishte menaxhimi më i mirë i lojtarëve, pasi ekipi kombëtar ka shumë alternativa.
“Ishte një ndeshje pak a shumë e njëjtë si ajo me Ukrainën. Duke qenë se ka shumë alternativa lojtarësh, Silvinjo duhet të ketë më shumë besim te lojtarët.
Të bësh dy ndeshje me gati të njëjtin formacion është shumë e lodhshme për lojtarët. Ekipi tani ka shumë alternativa. Pë këtë arsye, Silvinjo duhet të ketë më shumë besim te lojtarët. Më pëlqeu personaliteti i Tucit.
Mund të kishte shënuar edhe gol, por dha një asist. E vetmja kritikë është se u luajt me të njëjtin formacion si ndaj Ukrainës. Duhet të ishin 3-4 lojtarë të freskët në formacion.
Shqipëria nuk është skuadër që ka yje, por ka grup. Pas Europianit edhe vetë pritshmëritë janë më të larta.
Minimumi që duhej të ndodhte në atë moment është që lojtarët duhej ta ndalonin ndeshjen deri sa banderolat të largoheshin. A ka mbaruar epoka Hysaj? Absolutisht jo. Ka qenë një nga lojtarët ndoshta më të mirë në tre ndeshjet e fundit të Kombëtares.
Elsi është akoma një pikë referimi për Kombëtaren shqiptare. Mitaj bëri një Europian shumë të mirë. Kishte interes nga disa klube nga Seria A, por ndoshta mos njohja ndaj tij bëri që vendimi të ishte kundër.
Në periudhën 2 vjeçare është një rendiment pozitiv. Silvinjo është ambientuar në një kohë rekord me futbollin shqiptar.
Unë mendoj se eksperienca e tij është shumë e madhe. Në përgjithësi më pëlqen mënyra se si interpreton.” – tha Tare.
Lini një Përgjigje