
Ballkani u përball sot me Dukagjinin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës, në një ndeshje që përfundoi me fitoren e thellë 3-0 të skuadrës nga Klina.
Dukagjini siguroi avantazhin që në pjesën e parë, duke realizuar dy herë me Hekuran Berishën dhe Mërgim Pefqelin. Epërsia e hershme ndikoi në rrjedhën e lojës, duke vënë nën presion ekipin e Ballkanit për pjesën e mbetur të takimit.
Sipas raportimit të “Kanal10”, në pushimin mes pjesëve janë shënuar tensione në dhomat e zhveshjes së Ballkanit. Burime të këtij televizioni bëjnë me dije se drejtuesit e klubit kanë kërkuar llogari nga lojtarët për paraqitjen në fushë, ndërsa situata dyshohet se ka qenë pranë përshkallëzimit në përplasje fizike.
Në të njëjtin raport thuhet se lojtari Marsel Ismajlgeci nuk ka pranuar të rikthehet në fushë për pjesën e dytë, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë pushimit.
Lini një Përgjigje