KF Tirana po përballet me një tjetër goditje të rëndë, këtë herë nga FIFA, e cila i ka bllokuar klubit merkaton për tre sesionet e ardhshme të transferimeve për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj ish-futbollistëve dhe ish-zyrtarëve të klubit.
Sipas një vendimi të fundit të organit më të lartë të futbollit botëror, bardheblutë kanë humbur gjashtë procese gjyqësore që lidhen me paga dhe detyrime financiare të pashlyera. Situata vjen në një moment të vështirë për klubin kryeqytetas, i cili vetëm në javën e fundit të kampionatit arriti të shmangte një sezon edhe më zhgënjyes.
Vendimi i FIFA-s nënkupton se KF Tirana nuk do të mund të regjistrojë lojtarë të rinj gjatë tre merkatove të ardhshme, nëse nuk shlyen më parë të gjitha detyrimet ndaj ish-punonjësve të saj. Ish-futbollistët dhe ish-zyrtarët kanë zgjedhur t’i drejtohen FIFA-s për të kërkuar pagesat e prapambetura dhe organi ndërkombëtar u ka dhënë të drejtë në të gjitha rastet.
Burime pranë FIFA-s bëjnë me dije se një prej çështjeve është vendosur më 3 mars të këtij viti, ndërsa një tjetër më 8 maj. Vetëm gjatë ditës së djeshme, klubit bardheblu iu shtuan edhe katër vendime të tjera negative, duke e thelluar më tej krizën financiare.
Deri tani nuk janë bërë publikë emrat e ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve që kanë fituar proceset gjyqësore ndaj klubit.
Rasti konsiderohet i pazakontë për futbollin shqiptar, pasi nuk ishte regjistruar më parë që një klub të humbiste gjashtë gjyqe në FIFA për detyrime financiare të papaguara.

Lini një Përgjigje