
Interi ka fituar Kupën e Italisë për sezonin 2025-2026, duke kompletuar kështu një sezon fantastik pas triumfit edhe në kampionat me titullin e 21-të në histori.
Zikaltrit mposhtën me rezultatin 2-0 Lacion në finalen e zhvilluar në stadiumin "Stadio Olimpico", duke ngritur trofeun për herë të dhjetë.
Skuadra e drejtuar nga Kristian Kivu zhbllokoi sfidën që në minutën e 14-të, kur pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Federiko Dimarko, mbrojtësi Adam Marusiç devijoi topin në portën e tij.
Avantazhi i zikaltërve u dyfishua në minutën e 35-të. Një gabim i Nuno Tavares u shfrytëzua nga Denzel Dumfris, i cili shërbeu për Lautaro Martinez dhe kapiteni argjentinas e dërgoi lehtësisht topin në rrjetë për 2-0.
Në pjesën e dytë, Lacio tentoi të reagonte me rastet e krijuara nga Noslin dhe Boulaje Dia, por portieri Josep Martínez ishte vendimtar për Interin.
Minutat e fundit u shoqëruan me tension në fushë pas një ndërhyrjeje të ashpër të Pedro Rodrigez ndaj Dimarkos, çka shkaktoi përplasje mes lojtarëve. Megjithatë, vërshëllima finale vulosi suksesin e madh të Interit, që feston një tjetër trofe në historinë e klubit.
Lini një Përgjigje