FIFA ka prezantuar zyrtarisht Grupin e Studimit Teknik për Kupën e Botës 2026, një ekip i përbërë nga figura të njohura të futbollit botëror që do të ndjekë dhe analizojë në kohë reale 104 ndeshjet e turneut më të madh futbollistik në botë.
Grupi do të drejtohet nga Arsene Wenger, ish-trajneri legjendar i Arsenalit dhe aktualisht drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA. Mes emrave të përzgjedhur janë edhe Jurgen Klinsmann, Gilberto Silva, Jon Dahl Tomasson, si dhe zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Pablo Zabaleta.
Sipas FIFA-s, tifozët do të kenë mundësi të ndjekin analiza moderne, statistika të avancuara dhe informacione taktike në kohë reale gjatë çdo ndeshjeje të Botërorit. Organizata do të përdorë teknologji të avancuar që kombinon ekspertizën teknike me analizën e të dhënave.
Ekspertët e grupit do të kenë akses në gjashtë kënde të ndryshme video dhe mijëra pika të dhënash për secilën sfidë, me synimin për të analizuar çdo aspekt të lojës. Projekti synon të identifikojë tendencat më të reja të futbollit modern dhe të kontribuojë në zhvillimin e brezave të ardhshëm të futbollistëve dhe trajnerëve.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Lini një Përgjigje