Dinamo është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2025-2026, pasi mposhti Egnatian me rezultatin 3-2 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja përfitoi nga superioriteti numerik që në minutat e para dhe administroi avantazhin deri në fund, pavarësisht rikthimit në lojë në minutat e fundit të rrogozhinasve.
Finalja nisi në mënyrën më të keqe për Egnatian. Në minutën e 6-të, sulmuesi Soumaila Bakajoko u ndëshkua me karton të kuq direkt nga arbitri Enea Jorgji, pas një përplasjeje të fortë me portierin Aldo Teqja. Gardiani i Dinamos mbeti i dëmtuar dhe u largua nga fusha me ambulancë, ndërsa në vend të tij u aktivizua portieri 21-vjeçar Tomas Kiri.
Me një lojtar më shumë në fushë, Dinamo mori kontrollin e lojës dhe gjeti avantazhin në minutën e 23-të. Ishte Malomo që finalizoi me gol një aksion të ndërtuar bukur nga Nani, duke ia dedikuar realizimin portierit të dëmtuar.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Dejvi Bregu dyfishoi shifrat me një supergol nga distanca. Goditja e fuqishme me të djathtën nuk i la asnjë mundësi portierit kundërshtar dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të Dinamos.
Në nisje të pjesës së dytë, edhe Dinamo mbeti me 10 lojtarë. Malomo, autor i golit të parë, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për vonesë loje në ekzekutimin e një goditjeje këndi, duke lënë skuadrën e tij në inferioritet numerik.
Egnatia u rikthye në lojë në minutën e 81-të, kur Nikola Buriç shfrytëzoi një gabim në zonën e Dinamos dhe ngushtoi diferencën në 2-1. Megjithatë, reagimi i Bluve ishte i menjëhershëm. Ibrahim Mustafa, i aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë, realizoi golin e tretë me një goditje të fortë nga jashtë zone.
Në minutat shtesë, Egnatia shënoi edhe golin e dytë, por koha nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Dinamo fiton për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë dhe trofeun e 15 në historinë e klubit.
Lini një Përgjigje