Një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh të njohur ndërkombëtarisht i kanë bërë thirrje FIFA-s të forcojë masat mbrojtëse ndaj temperaturave të larta gjatë Kupës së Botës 2026, duke paralajmëruar se protokollet aktuale mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e lojtarëve.
Në një letër drejtuar organit më të lartë të futbollit botëror, specialistë të shëndetit, klimës dhe performancës sportive argumentojnë se udhëzimet ekzistuese nuk përputhen me kërkimet më të fundit shkencore dhe janë “të vështira për t’u justifikuar”. Ata kërkojnë masa më të forta, përfshirë ndërprerje më të gjata gjatë ndeshjeve dhe mundësinë e shtyrjes së tyre në kushte ekstreme të motit.
Temperaturat e larta pritet të jenë një sfidë serioze gjatë turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Studiuesit paralajmërojnë se në 14 nga 16 stadiumet pritëse temperaturat mund të arrijnë nivele të rrezikshme.
Në jug të SHBA-së dhe në veri të Meksikës, temperaturat mesatare gjatë ditës luhaten nga 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në periudhat më të nxehta mund të afrohen me 40 gradë Celsius.
Sipas ekspertëve, kur temperaturës i shtohen lagështia, era dhe rrezatimi i fortë diellor, rreziku për stres ekstrem termik tek lojtarët rritet ndjeshëm.
Nga ana tjetër, FIFA deklaron se mbetet “e përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së lojtarëve, gjyqtarëve, tifozëve, vullnetarëve dhe stafit”, duke theksuar se rreziqet klimatike janë pjesë e planifikimit të turneut.
Masat aktuale të FIFA-s
Në kuadër të masave për mirëqenien e lojtarëve, FIFA ka vendosur pushime të detyrueshme tre-minutëshe për freskim në secilën pjesë të ndeshjes, pavarësisht kushteve atmosferike.
Gjithashtu, në të gjitha ndeshjet që zhvillohen në stadiume të hapura do të ketë stola me klimë të kontrolluar për stafin teknik dhe lojtarët rezervë.
FIFA përdor edhe indeksin WBGT (Wet Bulb Globe Temperature), që mat stresin termik në organizëm duke kombinuar temperaturën dhe lagështinë. Një nivel prej rreth 28°C konsiderohet si prag ku nxehtësia bëhet shqetësim serioz për atletët profesionistë.
Sipas manualit të emergjencave të FIFA-s, nëse WBGT arrin ose kalon 32°C, organizatorët duhet të vendosin masa shtesë për të shmangur problemet shëndetësore të lidhura me nxehtësinë.
Për tifozët, FIFA ka parashikuar lejimin e shisheve të ujit të mbyllura, si dhe krijimin e zonave me hije, sistemeve të avullit freskues, autobusëve me ajër të kondicionuar dhe pikave shtesë të shpërndarjes së ujit.
Çfarë kërkojnë ekspertët?
20 ekspertët që kanë firmosur letrën, mes tyre akademikë nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe Europa, kërkojnë një rishikim urgjent të protokolleve aktuale.
Ata propozojnë:
Shtyrjen e ndeshjeve kur WBGT kalon 28°C;
Pushime freskimi prej të paktën gjashtë minutash;
Pajisje më efikase për uljen e temperaturës së trupit të lojtarëve;
Përditësim të vazhdueshëm të udhëzimeve sipas studimeve më të fundit shkencore.
Ekspertët gjithashtu i bëjnë thirrje FIFA-s të marrë në konsideratë standardet e propozuara nga sindikata globale e lojtarëve, Fifpro.
Lini një Përgjigje