TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Maj 2026, 12:26

Edhe Trump shpërthen ndaj FIFA-s: Çmimet e biletave të Botërorit “jashtë kontrollit

Shkruar nga Pamfleti
Edhe Trump shpërthen ndaj FIFA-s: Çmimet e biletave të
Trump dhe Infantino

Një muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026, kritikat ndaj FIFA-s për çmimet dinamike dhe tregun e rishitjes së biletave po shtohen. Edhe Donald Trump deklaroi se nuk do të paguante shumat që kërkohen për disa ndeshje...

Vetëm katër javë para ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026, pakënaqësia për çmimet e biletave po rritet në Shtetet e Bashkuara. Kritikat nuk po vijnë vetëm nga tifozët dhe politikanët amerikanë, por edhe nga vetë presidenti Donald Trump, i cili deklaroi së fundmi se “nuk do ta paguante” çmimin e kërkuar për disa bileta të turneut.

Sipas medias zvicerane NZZ, FIFA ka vendosur çmime dinamike për biletat e Botërorit që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Për ndeshjen e parë të kombëtares amerikane ndaj Paraguait, çmimi minimal i biletës arriti rreth 1000 dollarë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përballur prej muajsh me kritika për politikën e çmimeve. Ai ka argumentuar se tregu përcakton vlerën e biletave dhe ka krahasuar situatën me çmimet e larta në sportet universitare amerikane.

Megjithatë, reagimet në SHBA janë shtuar. Disa anëtarë të Kongresit amerikan i kanë dërguar letra Infantinos duke kritikuar politikën “jo transparente” të çmimeve dhe tarifat e larta të rishitjes. Në Kaliforni, prokuroria e përgjithshme ka nisur hetime pas ankesave të tifozëve që pretendojnë se janë mashtruar nga praktikat e shitjes së biletave.

FIFA ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e shitjes së biletave krahasuar me Botërorët e mëparshëm. Përveç çmimeve dinamike, organizata ka krijuar edhe platformën e saj zyrtare për rishitjen e biletave, ku aplikohen tarifa prej 15 për qind si për blerësit ashtu edhe për shitësit.

Sipas ekonomistit të sportit Christoph Breuer nga Universiteti Sportiv i Këlnit, FIFA ka “çuar komercializimin e Kupës së Botës në një nivel të ri”.

Në tregun online aktualisht qarkullojnë mijëra bileta me çmime shumë të ndryshme, shpesh edhe për të njëjtën zonë të stadiumit. Për shembull, për ndeshjen Zvicër–Katar në San Francisko, një biletë e kategorisë së parë ofrohej për 337 dollarë, ndërsa një tjetër për të njëjtin sektor arrinte deri në 6900 dollarë. Në finalen e turneut, një biletë në tregun sekondar ishte listuar për 11.5 milionë dollarë.

Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe “bot”-eve për blerjen masive të biletave gjatë fazave të para të shitjes. Ekspertët besojnë se një pjesë e madhe e kërkesave rekord për bileta nuk erdhi nga tifozë të zakonshëm, por nga spekulatorë që synonin fitime përmes rishitjes.

Megjithëse FIFA njoftoi në prill se kishte shitur mbi 5 milionë bileta nga më shumë se 6 milionë në dispozicion, në treg vazhdojnë të ketë mijëra vende të lira, edhe për ndeshjet e kombëtareve pritëse si SHBA-ja dhe Kanadaja.

Të dhënat e platformës ticketdata.com tregojnë se gjatë muajit të fundit çmimet e biletave kanë rënë për 103 nga 104 ndeshjet e Botërorit. Në rreth dy të tretat e rasteve, ulja ka qenë mbi 20 për qind.

Kjo ka shtuar pritshmëritë se shumë tifozë mund të zgjedhin të presin edhe pak para se të blejnë bileta për Kupën e Botës 2026.

 

infantino kupa e botes trump cmime biletash

Lini një Përgjigje