Kombëtarja shqiptare U-21 ka konfirmuar një tjetër ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21, kompeticion ku Shqipëria është e kualifikuar automatikisht si një nga vendet organizatore.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do të përballet me përfaqësuesen e Sllovenisë U-21 më 5 qershor 2026. Takimi do të luhet në stadiumin e Ajdovščinës dhe do të nisë në orën 20:15. Kjo sfidë do të jetë edhe testi i parë miqësor i këtij grumbullimi për kuqezinjtë.

Në vazhdën e programit përgatitor, Shqipëria U-21 do të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore ndaj Italisë U-21. Përballja është planifikuar të luhet më 8 qershor 2026 në stadiumin “Omero Tognon” në Pordenone, takim që ishte bërë publik edhe më herët.
Federata Shqiptare e Futbollit vijon kështu të planifikojë teste të rëndësishme ndërkombëtare për ekipin U-21, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për Europianin që do të organizohet në Shqipëri.
Lini një Përgjigje