
Përfundon pjesa e parë e ndeshjes Vllaznia-Egnatia e vlefshme për titullin kampion në Abissnet Superiore.
Sfida që po luhet në “Arena Kombëtare” është mbyllur me fitoren e rrogozhinasve me rezultatin minimal 0-1. Miqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 6 të takimit. Sulm i shpejtë i ekipit të Edlir Tetovës në të djathtë, Bakajoko shmangu Stojanoviç dhe pasoi te Lushkja, i cili e pati të thjeshtë të gjente rrugën e rrjetës.
2 minuta më vonë, Balaj tentoi të gjente golin me një goditje dënimi, por topi u ndal në traversën e portës së Dajsinanit.
Në minutën e 9, gabim i rëndë i Stojanoviç në prapavijë me një kthim topi mbrapa vuri në vështirësi Jukajn, i cili rrezikoi autogolin.
Ndërkohë një rast i diskutueshëm ndodhi në minutën e 34 me shkodranët që pretenduan për një 11-metërsh. Esat Mala u rrëzua në zonë, pas një kontakti me Xhemajlin, por kryesori Marçiniak bëri shenjë që nuk pati asgjë.
Stoli i Vllaznisë protestoi, ndërsa VAR-i nuk pa asgjë të dyshimtë duke mos e njoftuar polakun të rishikonte pamjet.
Në pjesën e dytë, Vllaznia do të kërkojë të barazojë shifrat dhe të tentojë të fitojë titullin pas 24 vitesh priteje, ndërsa Egnatia të mbrojë titullin dhe ta fitojë atë për të dytin sezon radhazi.
Lini një Përgjigje