
Medon Berisha ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe së fundmi ai nuk është shfaqur në stërvitje me ekipin e Leçes. Sipas mediave pranë klubit, mesfushori shqiptar do të humbasë ndeshjen e fundjavës përballë Parmës.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur shkalla e dëmtimit, pasi mungesa mund të shkojë edhe më tej. Një lajm tepër i keq edhe për Kombëtaren shqiptare pak ditë para sfidës kundër Serbisë, duke marrë parasysh formën e mirë që Berisha po kalon.
Mesfushori kuqezi kishte filluar që të dhuronte ndeshje të mira me fanelën e Leçes, si në Kupën e Italisë ndaj Milanit, ashtu edhe në Serinë A përballë Bolonjës. Tek e para ishte kapiten i skuadrës, ndërsa tek e dyta ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë, duke dhënë dhe asist në minutat e fundit për barazimin 2-2.
Për barazimin ndaj Bolonjës dhe paraqitjen statistikore, ai u vlerësua me notën 7,8 nga “SOFASCORE. Kjo e fundit kishte përzgjedhur mesfushorin e Kombëtares në formacionin ideal të javës në Serinë A, duke e rreshtuar përkrah emrave të njohur si Niko Paz, Pulishiç, Salemakers apo Bastoni.
Por mungesa e Medon Berishës nuk do të jetë e vetmja, pasi Silvinjos i duhet të bëjë edhe pa Ardian Ismajlin për ndeshjen me Serbinë.
Problemet që lojtari i Torinos shfaqi në ndeshjen ndaj Parmës kanë rezultuar më serioze nga ajo çfarë pritej. Sipas mediave italiane, Ismajli do të qendrojë jashtë fushe për një muaj.
Dje vonë pasdite, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare iu nënshtrua testeve për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmtimit
Në këto kushte, për sfidën e 11 tetorit, trajneri Silvinjo duhet të gjejë një alternativë tjetër.
Lini një Përgjigje