
Derbi Partizani-Tirana do të luhet të premten e 3 tetorit në orën 19:00, në një sfidë që është konsideruar si “derbi i hallexhinjve”, pasi të dyja ekipet pas 5 javësh kampionat e shikojnë veten në luftë për mbijetesë. Kjo situatë padiksutim ka mërzitur dhe irrituar edhe tifozët.
Këta të fundit të zhgënjyer nga paraqitjet e ekipeve të zemrës, nuk janë të interesuar sa pritej për të parë derbin e kryeqytetit.
Renditja duket se ka ndikuar edhe në interesin e tifozëve për sfidën e së premtes. “Panorama Sport” mëson se deri më tani nuk kalohet numri i 1500 biletave të shitura, ndërkohë që ndeshja është dy ditë larg.
Nga biletat e shitura, 1000 i përkasin sektorëve prapa porte ku vendosen edhe ultrasit. Në sektorët N janë shitur rreth 500 bileta deri tani, po ashtu edhe në sektorët S.
Për sektorët përballë ku çmimet variojnë nga 1000 lekë deri në 1500 lekë të reja, në total janë shitur rreth 450 bileta. Kati i dytë i stadiumit “Air Albania” me shumë gjasa nuk do të hapet për shkak të interesit të ulët.
Një pjesë e vogël e biletave të shitura i përket sektorëve në tribunën qendrore. Kujtojmë se çmimet variojnë nga 500 deri në 5000 lekë të reja.

Lini një Përgjigje