
Partizani ka triumfuar me përmbysje 1-3 ndaj skuadrës rumune të Universitatea Kluzh, në miqësoren e luajtur në Antalia të Turqisë. Goli i parë i takimit erdhi pas gjysmë ore lojë. Një gafë e portierit Qirko i dhuroi mundësinë sulmuesit rumun, Daniel Popa, për të dërguar topin në rrjetë. Skuadrat shkuan me rezultatin 1-0 në dhomat e zhveshjes, ndërsa në pjesën e dytë, ekipi i Orges Shehit hyri në fushë me tjetër marsh.
Partizani vendosi ekuilibrat në minutën e 48, pas një penalltie të shndërruar në gol nga Tedi Cara. Të kuqtë morën zemër dhe ia dolën edhe të përmbysnin llogaritë, në minutën e 67, falë Sembene. Për të vulosur njëherë e mirë fatin e kësaj sfide mendoi Maget, me një gol për panoramë në minutën e 73.
Partizanin tashmë e pret ndeshja e Superligës ndaj Teutës, takim ky i programuar të luhet më datën 13 janar, në orën 17.00. Në krahun tjetër, Universitatea Kluzh përballet me Hermanshtad në kampionat.
Lini një Përgjigje