
Elbasani ka lënë dy pikë të rëndësishme në garën për kreun, pasi është ndalur në një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të Abissnet Superiores. Ndërkohë, Partizani ka marrë fitoren e katërt radhazi, duke mposhtur 2-0 Egnatian në “Arenën e Demave”.
Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena” u karakterizua nga një pjesë e parë e ekuilibruar, e cila u mbyll pa gola. Të dyja skuadrat krijuan pak raste të pastra shënimi, duke e zhvendosur vendimmarrjen në pjesën e dytë.
Bylisi kaloi i pari në avantazh në minutën e 60-të. Stoilov u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një faulli të akorduar brenda zonës në favor të miqve.
Elbasani reagoi në minutat e fundit të takimit. Në minutën e 87-të, Loukili goditi drejt portës dhe, pas një devijimi, topi përfundoi në rrjetë për golin e barazimit 1-1.
Pas këtij rezultati, Elbasani mban vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa Bylis renditet në vendin e tetë me 24 pikë.
Në takimin tjetër të javës, Partizani konfirmoi formën e mirë duke siguruar fitoren e katërt radhazi. Të kuqtë e zgjidhën sfidën që në pjesën e parë, falë dy golave të shpejtë.
Valentino Murataj zhbllokoi rezultatin në minutën e 8-të, ndërsa Sidibe dyfishoi shifrat në minutën e 14-të, duke i dhënë Partizanit avantazhin 2-0 që në fraksionin e parë të lojës.
Në pjesën e dytë, Egnatia mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Albano Aleksit, i ndëshkuar për goditje ndaj Sembene. Sipas raportimeve nga fusha, në momentin e largimit, mesfushori pati një gjest të konsideruar antisportiv ndaj tifozëve vendas.
Takimi u mbyll me rezultatin 2-0. Egnatia mbetet në vendin e tretë me 46 pikë, ndërsa Partizani ngjitet në kuotën e 39 pikëve, duke u renditur i pesti, me pikë të barabarta me Dinamon që pozicionohet një vend më lart.
Kukesi nuk mere pjese kuba te Europe's ballshi laci vora tiranafamutara kamza gijrokastra besa apollonia tomori lushnja erzeni