
Berat Gjimshiti nuk mundi të ishte protagonist në dy ndeshjet e Kombëtares kuqezi, pasi kapiteni u desh të largohej nga grumbullimi që në ditën e dytë. Një dëmtim i pësuar në seancën e parë stërvitore, bëri që futbollisti të lihej jashtë nga trajneri Silvinjo dhe të kthehej në Itali për t’u rikuperuar pas kësaj situate.
Mendohej se Gjimshiti mund të humbiste disa ndeshje me Atalantën, përfshirë edhe atë të Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit. Por për fat, lojtari duket se ka kaluar problemet fizike dhe është përfshirë në listën e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Gasperini për ndeshjen e nesërme ndaj Fiorentinës, duke qenë në dispozicion të trajnerit.
“Kolasinaç dhe Gjimshiti vijnë në formë jo optimale për këtë ndeshje, Por të gjithë ata që janë grumbulluar, janë të gatshëm për t’u aktivizuar”, tha Gasperini sot para gazetarëve, duke konfirmuar kësisoj se mund të kishte minuta në fushë edhe për kapitenin kuqezi, i cili është kthyer në një nga pikat kyçe të skuadrës së tij.
Lini një Përgjigje