
Për të thuhet se e ka golin në “gjak”.
Kristian Shpendi është nga ata lojtarë të lindur si sulmues, që nuhatja nuk e braktis kurrë para portës.
“Ylli” i Shpresave shqiptare realizoi sërish në Serinë B të Italisë, në një ndeshje tepër të fortë në fushën e Çezenës.
Skuadra mike, Modena, kaloi në epërsi në pjesën e parë, por vendasit përmbysën rezultatin pa mbërritur deri te pushimi, teksa Bastoni realizoi për barazimin 1-1, ndërsa Shpendi shënoi për 2-1 nga pika e penalltisë, pikërisht në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë.
Futbollisti i Shqipërisë U-21 vazhdon me formën që kishte sezonin e kaluar, kur shkëlqeu fort dhe fitoi “Këpucën e Artë” në Serië C.
Edhe pse luan një kategori më lart, kjo nuk e ka penguar dhe Shpendi deri më tani ka realizuar 3 gola në vetëm 4 ndeshje që ka luajtur këtë edicion.
Ai shkëlqeu në javën e parë të Serisë B, në sfidën që Çezena fitoi 2-1 ndaj Karrarezes, duke shënuar të dy golat.
Edhe pse nuk arriti ta siguronte këtë verë Serinë A, Kristian Shpendi i ka të gjitha mundësitë për të arritur në elitën e futbollit italian dhe kjo mund të ndodhë në rast se Çezena siguron ngjitjen ose duke marrë oferta nga skuadra të tjera.
Lini një Përgjigje