
Nuk ka paqe për botën e Formula 1. Ndërsa stuhia që përfshiu drejtorin e ekipit të Red Bull, Kris Horner, nuk tregon shenja të zbutjes, një çështje e re rrezikon të minojë besueshmërinë e këtij sporti. Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulajem, thuhet se është nën hetim për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e një gare sezonin e kaluar.
BBC ka patur akses në një raport të hartuar nga një menaxher i pajtueshmërisë i Federatës, drejtuar komitetit të etikës, i cili flet për një ndërhyrje nga Ben Sulajem për të revokuar një dënim prej 10 sekondash të vendosur ndaj Fernando Alonsos në garën e Arabisë Saudite, më 19 mars 2023.
Raporti citon një burim anonim, sipas të cilit Ben Sulajem telefonoi Sheikh Abdullah bin Hamad bin Isa Al Khalifa, nënkryetar i FIA-s për sportin në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Ky i fundit ishte në Arabinë Saudite për garën në cilësinë e zyrtarit, duke e informuar se, sipas tij, dënimi duhet të revokohet. Sipas BBC, do të duhen 4 deri në 6 javë që komisioni i etikës të hartojë një raport mbi rastin.
Çfarë ndodhi në atë garë:
Alonso kishte marrë një dënim fillestar prej 5 sekondash për vendosjen e makinës së tij pjesërisht jashtë zonës së nisjes në fillim të garës. Spanjolli e kishte shlyer dënimin në “pit stopin” e parë, por më pas pësoi një penallti të dytë (këtë herë 10 sekonda), sepse mekanikët e kishin prekur makinën në pjesën e pasme me një mjet pune gjatë atyre 5 sekondave.
Neni 54.4-c i Rregullores Sportive thotë: “Ndërsa një makinë ndalohet në korsi për shkak të një sanksioni sipas neneve 54.3-a ose 54.3-b, ajo nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve, derisa makina të ketë mbetur e palëvizshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së sanksionit”.
Në fund të garës, sanksioni i dytë në fakt ishte revokuar (sipas kërkesës së pretenduar të Ben Sulajem) sepse nuk kishte qartësi të mjaftueshme në rregullore nëse thjesht prekja e makinës sillte shkelje. Pas këtij incidenti, rregullores iu shtua një fjali tjetër: “Në këtë kontekst, prekja me duar e makinës, apo e pilotit, apo mjeteve, apo pajisjeve përbën punë”.
Falë revokimit, Alonso konfirmoi vendin e tretë që kishte fituar në pistë, por që do të kalonte në të katërtin, duke i hapur krahun Mercedes të Xhorxh Rasëll.
Lini një Përgjigje