TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Mars 2024, 19:56

“Ruleta” e penalltive ‘vret’ Partizanin, Kukësi eliminon të kuqtë pretendentë nga Kupa e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti

“Ruleta” e penalltive ‘vret’ Partizanin, Kukësi

Kukësi është kualifikuar në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë pasi ka mposhtur Partizanin pas goditjeve të 11-metërshave.

90 minutat nuk mjaftuan, pasi Kukësi fitoi minimalisht 0-1, ashtu si Partizani që kishte fituar sfidën e parë në Kukës me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Taipit.

Në Tiranë, pjesa e parë nisi shumë mirë për “verilindorët”, me Kukësin që diktoi ritmin, ndërsa u shpërblye në minutën e 22, falë golit spektakolar të Hasajt.

Goli ndryshoi humorin e Partizanit, që provoi të reagonte, me Taipin në minutën e 32 dhe Carën, 2 minuta më vonë që kërkuan golin e barazimit, por pa sukses.

Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat krijuan rastet e tyre, ndërsa në minutën e 69, Mba i shkoi pranë golit, por nuk ia doli të kalonte portierin Tafas.

Dy minuta më pas, Taipi ishte pranë golit, por ishi i kësaj sfide nuk gjeti koordinatat e duhura të portës së “verilindorëve”, me topin që preku edhe tramversën.

Me kalimin e minutave, Kukësi mendoi vetëm për mbrojtjen, por Partizani vuajti mungesën e saktësisë përpara portës dhe ndeshja shkoi në shtesë.

Në minutën e 93, Tafas bëri heroin për “verilindorët”, ndërsa të besuarit e Orges Shehit vizituan rregullisht portën e Tafas edhe në minutat pasuese.

Gjithsesi, në fund asgjë nuk ndryshoi dhe koha shtesë nuk solli asnjë ndryshim në rezultat, teksa gjithçka u vendos pas serive të penalltive, ku Kukësi fitoi 3-5.

Tafas ishte heroi për Kukësin, me portierin që ndaloi Atanaskoskin, i cili ishte i vetmi që gaboi, e më pas portieri mori guximin për të shënuar nga pika e bardhë.

Për kryeqytetasit shënuan Mikuliç, Cara dhe Murataj, ndërsa Zogos, Tafas, Lleshi, Mingo dhe Salami u treguan të gjithë të saktë, duke çuar Kukësin në gjysmëfinale, në një sezon shumë të vështirë në kampionat.

 

kukësi partizani kupa e shqipërisë

Lini një Përgjigje