
Çudirat në futbollin shqiptar nuk kanë fund. Vendimi i radhës, jo pak befasues, vjen nga ekipi i Erzenit. Atëherë kur më pak pritej, përpara një sfidë shumë delikate si ajo kundër Vllaznisë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, klubi shijakas vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Skerdi Bejzaden, një trajner që mori drejtimin e ekipit më datë 8 shkurt, duke qendruar në stol vetëm në 5 ndeshje: 2 fitore, 2 humbje dhe vetëm 1 barazim, por mesa duket humbja e fundit kundër Teutës me rezultatin 3-0 ka sjellë dhe largimin e tij.
Klubi i Erzenit me anë të një njoftimi për mediat saktësoi se palët i dhanë fund me konsensus këtij bashkëpunimi. Nuk zgjati shumë për Bejzaden as kjo aventurë e dytë në futbollin shqiptar, ashtu siç ndodhi edhe kur ishte pjesë e Laçit. Sipas “Supersport” bëhet me dije se Josa do të drejtojë Erzenin, me palët që kanë arritur marëveshjen mes tyre.
Në këtë mënyrë ish-timonieri i kurbinasve do të zëvendësojë kështu Bejzaden te klubi shijakas. Ironia e fatit, pasi vlen të theksohet se Mirel Josa zëvendësoi Bejzaden edhe te skuadra e Laçit, teksa tashmë do e zëvendësojë edhe tek Erzeni.
Lini një Përgjigje