TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Shkurt 2026, 20:31

Nuk ia doli të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë, ndahet nga jeta trajneri legjendar i Danimarkës

Shkruar nga Pamfleti

Nuk ia doli të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë,

Futbolli evropian ka pësuar një tjetër humbje të rëndë. Ish-trajneri i kombëtares së Danimarkës, Josef Emanuel Hubertus “Sepp” Piontek, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundjeje.

Lajmi u konfirmua nga Shoqata Daneze e Futbollit (DBU), e cila në një reagim në rrjetet sociale e cilësoi Piontekun si një nga figurat më me ndikim në historinë e futbollit danez. “Sepp do të mbahet mend përgjithmonë si një nga trajnerët më me ndikim kombëtarë në historinë e futbollit danez”, thuhet në deklaratën e DBU-së, publikuar më 19 shkurt.

Më herët, transmetuesi danez TV2 kishte raportuar për vdekjen e tij, duke cituar familjen.

I lindur në Poloni dhe i rritur në Gjermani, Piontek e nisi karrierën si futbollist profesionist në rolin e mbrojtësit me Werder Bremen, në vitet e para të Bundesligës. Ai kontribuoi në fitimin e titullit kampion të Gjermanisë në vitin 1965 me këtë skuadër.

Pas një dëmtimi që i dha fund karrierës si lojtar, Piontek iu përkushtua trajningut. Ai drejtoi fillimisht Werder Bremenin, më pas Fortuna Düsseldorf, kombëtaren e Haitit dhe klubin St. Pauli. Në vitin 1979 mori drejtimin e kombëtares daneze, një emërim që konsiderohet si pikë kthese për futbollin e këtij vendi.

Nën drejtimin e Piontekut, Danimarka përjetoi një periudhë transformimi dhe suksesi. Kombëtarja u kualifikua për Kampionatin Evropian të vitit 1984, ku tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me stilin e saj të guximshëm dhe ofensiv.

Ai udhëhoqi Danimarkën edhe në Kupën e Botës 1986 në Meksikë – pjesëmarrja e parë historike e danezëve në një Botëror – ku skuadra arriti deri në fazën e 1/8-ve të finales. Piontek u largua nga posti në vitin 1990, për të vijuar më pas karrierën si trajner në Turqi dhe Groenlandë.

Drejtori i futbollit në DBU, Peter Møller, e vlerësoi kontributin e tij si themelor për zhvillimin e kombëtares. “Me hidhërim të madh morëm lajmin për vdekjen e ish-trajnerit të ekipit kombëtar Sepp Piontek. Në vitin 1979 ai u emërua trajner i Danimarkës dhe ky ishte fillimi i një epoke të re. Nën udhëheqjen e tij, ekipi kombëtar bëri hapa të mëdhenj përpara”, deklaroi Møller.

Trashëgimia e Sepp Piontekut mbetet e lidhur ngushtë me ngritjen e Danimarkës si një forcë konkurruese në futbollin evropian të viteve ’80, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e këtij sporti.

 

sep piontek ish-trajneri i danimarkës

Lini një Përgjigje