
Tirana u trondit më 24 janar të këtij viti, kur vajza e mesfushorit Fredi Alvarez humbi jetën. Ngjarja e rëndë shënoi një moment të dhimbshëm për futbollistin dhe familjen e tij, ndërsa ai u largua drejt Kosta Rikës për të qenë pranë të afërmve.
Rreth një muaj pas kësaj date, Alvarez është rikthyer në kryeqytetin shqiptar. Sipas burimeve të “Panorama Sport”, 30-vjeçari ka vendosur të respektojë kontratën me klubin bardheblu dhe të vijojë angazhimin e tij me Tiranën.
Një ditë më parë, mesfushori publikoi një foto në rrjetet sociale, shoqëruar me një mesazh prekës, duke lënë të kuptohet se po largohej nga Kosta Rika, ku kishte qendruar që prej fundit të muajit janar.
“Pikëllimi nuk ka orë, disa ditë dhemb sikur të kishte qenë dje, dhe në çdo moment kthehet një kujtim, dhe ai lëmshi në fyt të dhemb shumë”, shkruante Alvarez në postimin e tij, duke iu referuar vajzës së ndjerë, Irina.
Alvarez iu bashkua Tiranës në fillim të muajit janar dhe pritshmëritë për kontributin e tij në mesfushë janë të larta. Rikthimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për ekipin, që synon përmbushjen e objektivave sezonalë.

Lini një Përgjigje