
Serbia ishte kundërshtari që shumë në grupin e kualifikuese të Botërorit nuk e dëshironin dhe kjo jo për aspektin sportiv, por për atë që kjo sfidë përfaqëson për shqiptarët. Ndeshja në “Arena Kombëtare” nuk është e zakonshme dhe këtë e tregon edhe fakti që në polici plani për masat ka nisur të hartohet shumë më herët. Burime të “Report TV” bëjnë me dije se 1500 forca policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e kësaj sfide, duke nisur nga shoqërimi i dy përfaqësuesve, me fokus të veçantë atë të Serbisë. Nga momenti i mbërritjes në Tiranë, një ditë para ndeshjes dhe deri në largimin nga Shqipëria.
Në terren për Shqipëri-Serbi do të jetë edhe anti-terrori, ndërsa për çdo rast mund të përfshihet edhe RENEA. Shërbimi Informativ Shtetëror, ose SHISH, ka nisur prej kohësh të monitorojë rreziqet e mundshme, ndërsa masat përfshijnë edhe sigurinë brenda stadiumit edhe pse me ligj i takon kompanisë private që kontaktohet nga FSHF. Forcat e policisë do të jenë edhe në ambientet e stadiumit, ndërsa Federata ka marrë masat për përdorimin e kamerave specifike që bëjnë identifikimin me fytyrë të çdo tifozi që mund të bëjë sjellje të pahijshme.
Po përse këto masa për ndeshjen me Serbinë?
Arsyeja më e fortë është lufta që ky shtet ka bërë në territorin e shqiptarëve të Kosovës, tensionet politike dhe incidentet që janë rrjedhojë më pas. Një prej më të fortëve është ndeshja e Beogradit mes Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor 2014, kur ultrasit serbë sulmuan në fushën e lojës futbollistët e kombëtares kuqezi. Të njëjtët ultras të cilët thuajse në çdo stadium nuk harrojnë të thërrasin ‘Kosova është Serbi’, të djegin flamurin shqiptar apo edhe atë të Kosovës. Pjesë e këtyre ultrasve, siç është thënë më herët edhe nga vetë mediat serbe, janë ish-ushtarakë të cilët kanë bërë luftime në Ballkan.
Një incident u regjistrua edhe në ndeshjen e kthimit që u luajt në Shqipëri, teksa në Tiranë një tifoz gjuajti me gurë autobusin e ekipit serb. Megjithatë në atë përballje tifozët shqiptarë mbajnë mend peripecitë e mëdha për të hyrë në stadium, me kontrolle sigurie të jashtëzakonshme, që shpresojnë t’i shmangin më 7 qershor në Tiranë.
Përtej sfidës sportive, kjo përballje mbart edhe dimensione historike, edhe politike, që kanë ngjallur emocion dhe tension mes tifozëve dhe opinionit publik. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë mobilizuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente.
Kamerat- Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera, po implementojnë masa të avancuara sigurie në stadium. Në stadiumin “Arena Kombëtare” po instalohen sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale. Kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e menjëhershëm të personave potencialisht problematikë.
Kontrolli– Policia ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium. Biletat duhet të jenë me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit, duke parandaluar kështu trafikun dhe abuzimin me to. Tifozët nuk do të lejohen të hyjnë me çadra shiu, shishe, çanta më të mëdha se A4, objekte metalike apo çdo gjë tjetër që mund të shkaktojë rrezik. Kontrolli trupor do të jetë i hollësishëm dhe i detajuar.
Rrugët dhe Antidron- Për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Gjithashtu në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror. Shqipëri-Serbi më 7 qershor 2025 do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të rivalitetit në fushë, por edhe për shkak të sfidave të sigurisë që ajo sjell.
Lini një Përgjigje