
Gjeorgjia ka humbur sfidën kundër Ukrainës, diçka e papritur dhe që i prish serinë e rezultateve pozitive në Ligën e Kombeve. Kombëtarja e drejtuar nga figura e njohur franceze Vili Sanjol do të kërkojë që të gjejë motivimin e duhur para ndeshjes me Kombëtaren tonë ditën e nesërme.
Gjeorgjianët e dinë që tre pikët me ukrainasit ishin të domosdoshme duke parë kundërshtarin e radhës, Shqipërinë. Kësaj gjëje i druhet edhe një nga lojtarët më në formë të ekipit nga malet e Kaukazit, Otar Kiteishvili. Mesfushori aktivizohet me kampionët e Austrisë edicionin e kaluar, Shturm Grac dhe këtë sezon është paraqitur dhe në Champions me ta.
28 vjeçari në një intervistë pas ndeshjes në Poloni me shtetin që ndodhet në gjendje lufte është shprehur qartë rreth takimit të humbur dhe atij pasardhës.
"Humbëm një takim që s'duhej t'a kishim humbur. Do të analizojmë çdo detaj dhe do të gjejmë ku kemi gabuar. Shpresojmë që të nxjerrim mësim nga kjo. Shqipëria është komponent i vështirë dhe kurrsesi nuk duhet të bëjmë hapa prapa përsëri. Ky është një grup ku mund të fitosh çdo ndeshje dhe mund ta pësosh te të gjitha", u shpreh Kiteishvili.
Gjeorgjiani numëron 4 trofe të fituara tek austriakët dhe aspiron që të shkojë në një kampionat më elitar dhe në një skuadër të një kalibri të lartë.
Lini një Përgjigje