
Të dielën ndërroi jetë legjenda e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer duke lënë prapa gjurmë të mëdha. Ish- futbollisti i Kombëtares, Faruk Sejdini, ka patur fatin të përballej ndaj tij dhe në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, ai përmend cilësitë e rralla të “ikonës” Bekenbauer.
Franc Bekenbauer, çfarë do të thotë për ty ky emër? Si e kujtoni?
Është një njeri që ka arritur rekorde. Është një njeri që ka bërë histori. Jo më kot e thërrisnin “Kaizer”. Me të vërtetë është një humbje e madhe e futbollit.
Ju jeni përballur me Gjermaninë në vitin 1971, luanit titullarë në atë kohë, luante edhe Bekenbauer. Si e kujtoni atë sfidë?
Kur luan me këto figura si Bekenbauer apo Myler, ishte fat. Për të gjithë ne ishte fat dhe si të thuash privilegj. Unë isha i ri, por edhe Bekenbauer ishte i ri. E ndjeja që ishte një ndeshje historike për mua dhe në fakt ashtu doli. Mbaj mend që stadiumi ishte plot dhe pjesa më e madhe nuk kishin ardhur për të parë si luhej, por kishin ardhur t’i shikonin ata si njerëz. Ishte fat të komunikoje me ata njerëz.
Çfarë lojtari ishte, çfarë e bënte të veçantë?
Ai ishte një nga burrat më simpatikë të kohës. Mbaj mend që në stadium kishte vajza dhe kishin kuriozitet për ta parë. Ky ishte një futbollist i madh. Kjo e bënte edhe më të veçantë. Thonin se nuk kishte sforco dhe luante futboll me të njëjtën mimikë. Edhe gjermanët i përuleshin Bekenbauerit.
Mediat, opinioni sportiv e ka konsideruar si mbrojtësin më të mirë në histori, po ju si e cilësoni?
Unë do thoja se është një nga mbrojtësit më të mirë, për të mos thënë më i miri. Unë e kam parë disa herë, ai ishte një lojtar që s’ka menduar asnjëherë për kundërshtarin, por vetëm për topin.
Pas ndeshjes në Gjermani ishte mbajtur një banket ku sërish Bekenbauer kishte qenë protagonist.
“Ai u çua dhe takoi Panajot Panon, pasi kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të. Më pas i dha një dhuratë materiale sportive, me çantë dhe këpucë. Gjëra që i duheshin një futbollisti atëherë,”-tha Faruk Sejdini, ish-futbollist i kombëtares.
Franc Bekenbauer luajti për 13-vite me Bajernin e Mynihut duke fituar 5 trofe europianë, ndërsa me Gjermaninë fitoi një Botëror dhe e udhëhoqi tek një tjetër si trajner.
Gjatë karrierës së tij ai gjithashtu fitoi edhe dy topa të artë pavarësisht se luante si mbrojtës.
Lini një Përgjigje