TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Janar 2024, 19:23

“Kur vizitonim dhomën e ‘Kaizerit’ në jahtin luksoz”, ish-dinamoviti kujton Bekenbauerin: Ishte unik në të gjithë kuptimin e fjalës

Shkruar nga Pamfleti

“Kur vizitonim dhomën e ‘Kaizerit’ në jahtin

Franc Bekenbauer e ka vizituar tri herë Shqipërinë. Si lojtar më 1971, por edhe më pas si gazetar sportiv dhe si zyrtar i një klubi. Hera e fundit që ai ka shkelur në Tiranë ka qenë kur ishte drejtor sportiv i Olimpikut të Marsejës. Një vit pasi ishte shpallur kampion bote me Gjermaninë si trajner në “Meksikë 1990”.

Agim Canaj dhe një pjesë e lojtarëve të Dinamos së sezonit 1990-1991 janë ndër të paktët shqiptarë që kanë parë dhomën ku flinte “Kaizeri” në një nga jahtet më luksoze në Francë dhe në Europë. “Na ra shorti me Marsejën më 1990 në Ligën e Kampioneve dhe drejtor sportiv i asaj skuadre ishte Franc Bekenbauer. Unë e admiroja që kur ishte lojtar”, thotë Agim Canaj në një intervistë për "Sport News".

Çfarë mbani mend nga Bekenbaueri?

E kam admiruar që kur ishte futbollist. Elegant në fushë dhe një personalitet i padiskutueshëm. Por kur e shihje nga afër bindeshe që ishte special. Unik.

Pse?

Ishte kolos. Si lastar i gjatë dhe i hollë, i veshur me kostum të zi dhe një kollare të zezë. Elegancë pa hesap në fushë dhe jashtë saj. Nuk kam parë asnjë sportist me atë pamje aq tërheqëse. Bënte efekt tek të gjithë, edhe sepse kishte aureolën e një legjende të futbollit të luajtur, por edhe një trajneri që sapo kishte fituar Kupën e Botës më 1990.

Keni pasur kontakte me të?

Jo, por kam pasur mundësi të shoh dhomën ku flinte ai, në një nga jahtet më luksoze në Francë dhe në Europë.

Si ka mundësi?

Shikoni, kur Dinamo udhëtoi për të luajtur me Marsejën në fushën e kësaj të fundit, ish-presidenti i saj, Bernard Tapia, e ftoi gjithë ekipin shqiptar dhe stafin në jahtin e tij luksoz. Aty na shpjegonin se ku flinin lojtarët, stafi, mysafirët dhe ku flinte Bekenbauer, që asokohe ishte drejtor sportiv dhe paksa bashkë-trajner i Marsejës.

Si ishte dhoma e Bekenbauerit?

Ishte suita më luksoze. Edhe vetë Bernard Tapia qeshi kur i erdhi radha dhomës së “Kaizerit”. “Kjo është speciale për njeriun më special që kemi”, tha ai me një farë mburrjeje dhe shakaje. Dhe kishte të drejtë. Bekenbauer ishte madhështor.

Si përfundoi ndeshja?

U mundëm 5-1. Por dihej si do shkonte. Aty e kishin mendjen të gjithë për të ikur…(qesh).

Për t’u arratisur e keni fjalën?

Pikërisht. Thjesht ishte një mundësi që të iknin dhe një prej tyre që iku ishte Pjerin Noga në mos gaboj.

Po ju, pse nuk ikët?

Ika edhe unë dhe përfundova në Rumani….(qesh). Kohë të vështira, kur pak mendohej për fushën. Edhe trajneri Bejkush Birçe e dinte këtë dhe na kërkoi para ndeshjes: “Djema, e di që e keni mendjen të ikni, por aman ikni pas ndeshjes, jo para saj”. Se për dreq qëlloi që pak muaj më pas luante edhe kombëtarja me Francën. Edhe aty ikën shumë lojtarë.

Çfarë ishte Bekenbauer për ju dhe brezin tuaj?

Një mit. Një frymëzim. U rritëm me të dhe sa më shumë kalonte koha, aq më i rëndësishëm bëhej ai. Nuk ndodh shpesh kjo pasi lë futbollin. Por ai ishte në të gjithë kuptimin e fjalës: kolos.

agim canaj ish-futbollisti i dinamos franc bekenbauer

Lini një Përgjigje