
Pas 4 humbjeve radhazi, Liverpuli rikthehet më në fund te fitorja, duke mundur 2-0 Aston Vilën.
Fillimisht ishte Hugo Ekitike që shënoi me kokë, pas një krosimi perfekt të Dominik Shoboslai, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të sulmuesit francez.
Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Liverpuli mori një dhuratë të madhe nga portieri i miqve, Emiliano Martinez, ku portieri argjentinas gaboi duke i pasuar Mohamed Salah dhe egjiptiani dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Liverpulin. Me golin e shënuar sot, Mohamed Salah shkon në kuotën e 250 golave, golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e të kuqve, pas Ian Rash 346 gola dhe Roxher Hant me 285 gola.
Në minutën e 58 ishte Rajan Gravenbersh që dyfishoi shifrat për vendasit, me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, i ndihmuar dhe nga devijimi i njërit prej lojtarëve të Aston Vilës.
Florian Uirc e nisi nga stoli këtë takim, duke u futur në 15 minutat e fundit në vend të Ekitike, por pa gjetur dot rrjetën. Liverpuli fiton 2-0 dhe ngjitet në vend të tretë me 18 pikë, 7 pikë më pak se Arsenal i vendit të parë.
Lini një Përgjigje