
Luçiano Spaleti e ka nisur me këmbë të mbarë te Juventusi, pasi bardhezinjtë kanë fituar ndeshjen e parë nën drejtimin e tij, 1-2 në transfertë ndaj Kremonezes, për javën e 10 të Serisë A.
Bardhezinjtë gjetën golin që në minutën e parë, ku Filip Kostiç dërgoi topin në rrjetë, pas një pasimi të ardhur nga devijimi në zonë nga kundërshtari. Në minutën e 26, Juventusi iu afrua golit të dytë, por goditja e kapitenit Manuel Lokateli u ndal në shtyllë. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Juventusin.
Andrea Kambiaso shënoi golin e sigurisë për bardhezinjtë në minutën e 67 me një goditje të fuqishme brenda zonës, pas një topi të kthyer mbrapsht nga mbrojtësi kundërshtar.
Në minutën e 82, Kremoneze rihapi ndeshjen me golin e realizuar nga Xhimi Vardi. Anglezi shënoi pasi mori një top të gjatë dhe fitoi duelin me Federiko Gatin dhe më pas mposhti portierin Di Gregorio.
Shifrat përfundimtare, Kremoneze- Juventus 1-2. Asnjë minutë për Edon Zhegrovën.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e pestë me 18 pikë, ndërsa Kremoneze mbetet në vendin e nëntë me 14 pikë.
Lini një Përgjigje