Robert Levandovski ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga Barcelona. Sulmuesi polak bëri të ditur vendimin e tij përmes një videoje të publikuar në profilin personal në Instagram, ndërsa më pas reagoi edhe klubi katalanas përmes një komunikate në faqen zyrtare.
Ndeshja e së dielës ndaj Betis do të jetë e fundit e Levësnë “Spotify Camp Nou” me fanelën e Barcelonës, duke i dhënë fund një aventure katërvjeçare në Katalonjë.
“Pas 4 vitesh me objektiva dhe punë të fortë, është momenti që të shoh përpara”, shkroi Levandovski në postimin e tij në rrjetet sociale. “Largohem me ndjesinë se e përmbusha misionin. Katër sezone, tre kampionate. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë që kam marrë nga tifozët që ditën e parë. Katalonja është vendi im në tokë”.
Sulmuesi polak falënderoi gjithashtu të gjithë personat që e shoqëruan gjatë periudhës së tij te Barcelona, duke rezervuar një mesazh të veçantë edhe për presidentin Joan Laporta.
“Faleminderit të gjithëve që kam njohur gjatë këtyre katër viteve të mrekullueshme. Një falënderim special për presidentin Laporta që më dha mundësinë të përjetoja kapitullin më të pabesueshëm të karrierës sime. Barcelona u kthye te vendi që i takon. Rroftë Barcelona, rroftë Katalonja”, u shpreh ai.
Gjatë katër sezoneve me klubin blaugrana, Levandovski zhvilloi 191 ndeshje dhe realizoi 119 gola, duke u renditur si golashënuesi i 14-të më i mirë në historinë e Barcelonës.
Sulmuesi, i cili në muajin gusht mbush 38 vjeç, iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022 pas largimit nga Bajerni i Mynihut, në një transferim që i kushtoi klubit katalanas rreth 50 milionë euro.
Me Barcelonën, Leva fitoi gjithsej shtatë trofe: tre tituj në La Liga, një Kupë të Mbretit dhe tre Superkupa të Spanjës.
Sa i përket të ardhmes së tij, mediat spanjolle raportojnë se sulmuesi ka marrë oferta të rëndësishme nga klube të Arabisë Saudite, ndërsa interesim kanë shfaqur edhe Chicago Fire në MLS dhe Porto. Sipas “Mundo Deportivo”, vendimi për destinacionin e ardhshëm pritet të merret në javët në vijim.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje