Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm në garën për titullin kampion, pasi mposhti Vllazninë me rezultatin e pastër 2-0 në ndeshjen e parë të fazës “Final Four”. Golat e Malomos në minutën e 77-të dhe Xhejms në minutën e gjashtë shtesë i dhanë suksesin skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, i cili e ndoqi takimin nga tribuna.
Me këtë fitore, Dinamo mbetet plotësisht në lojë për titullin, ndërsa Vllaznia pëson një humbje me peshë në një moment vendimtar të sezonit. Shkodranët mbeten me 31 pikë, po aq sa Elbasani, që do të përballet nesër në orën 19:00 me Egnatian, një tjetër skuadër pretendente për kampionatin.
Pjesa e parë foli më shumë për Vllazninë, që u shfaq më kërkuese dhe më agresive në lojë. Të ndikuar edhe nga rëndësia e pikëve, shkodranët tentuan të godisnin kryesisht nga krahu i djathtë, me krosime të shumta drejt zonës, por mbrojtja e Dinamos reagoi saktë duke neutralizuar çdo rrezik.
Në pjesën e dytë ndryshoi rrjedha e lojës. Dinamo u shfaq më e organizuar dhe më këmbëngulëse në sulm, ndërsa Vllaznia hasi vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Blutë e kryeqytetit ushtruan presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare dhe krijuan më shumë hapësira në 30 metrat e fundit.
Momenti kyç i takimit erdhi në minutën e 69-të, kur Bajrami u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Vllazninë me 10 lojtarë dhe duke vështirësuar ndjeshëm situatën për ekipin e drejtuar nga Edi Martini.
Dy minuta më vonë, Dinamo regjistroi rastin më të mirë deri në atë moment. Qardaku provoi nga goditja e dënimit, ndërsa portieri Pohls nuk kontrolloi si duhet topin, duke krijuar panik në zonë, por mbrojtësit shkodranë arritën ta largonin rrezikun në momentin e fundit.
Presioni i Dinamos u shpërblye në minutën e 77-të. Pas një aksioni të nisur nga Berisha, Malomo përfitoi nga një pozicion ideal në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke zhbllokuar rezultatin.
Në minutat e fundit, Vllaznia u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe krijoi dy mundësi të mira me Dodajn, por sulmuesi nuk arriti të konkretizonte.
Në krahun tjetër, Dinamo gjeti hapësira në kundërsulm dhe në minutat shtesë Xhejms përfitoi nga porta e boshatisur nga Pohls për të shënuar golin e dytë, duke vulosur fitoren 2-0 dhe suksesin e rëndësishëm të skuadrës kryeqytetase.
Lini një Përgjigje