
Një Botëror pa Brazilin duket i pamendueshëm. Por në situatën aktuale mund të ndodhë dhe gjithçka është pasojë e pamjeve të turpshme në “Marakana”, ku policia sulmoi me shkopinj gome tifozët e Argjentinës. Pamjet bënë xhiron e rrjetit dhe tashmë është hapur një hetim që pritet të ketë pasoja të rënda për brazilianët.
Ngjarjet para fillimit të ndeshjes bënë bujë, pasi egërsia e policisë braziliane ndaj tifozëve, mes të cilëve kishte edhe fëmijë, u duk e pakuptimtë për shumëkënd, Edhe vetë lojtarët reaguan dhe vetëm pasi u kthye normaliteti në tribuna filloi ndeshja që përfundoi me fitoren 1-0 të Argjentinës.
Kështu, Brazili për herë të parë në historinë e vet u mund në një ndeshje në fushën e tyre në kualifikueset e Botërorit dhe tashmë rrezikon të mbetet jashtë, pasi është në vendin e 6 dhe ka 7 pikë pas 6 ndeshjesh të luajtura.
Megjithatë, sipas “Globo”, ndëshkimi i brazilianëve për ngjarjet e kësaj ndeshjeje mund të përfshijë edhe heqjen e pikëve në klasifikimin e kualifikuesve të Botërorit. Dhe kjo do të zbriste “Seleçaon” nga zona e kualifikimit për këtë aktivitet, një katastrofë e mirëfilltë për një nga përfaqësueset që cilësohet gjithmonë mes favoriteve për fitoren e trofeut.
Lini një Përgjigje