
Jasir Asani nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit Silvinjo në përballjen ndaj Polonisë, duke e ndjekur ndeshjen nga tribuna. Pavarësisht kësaj, ai vijon të jetë i grumbulluar me ekipin kombëtar dhe po stërvitet rregullisht me grupin në prag të sfidës së radhës ndaj Ukrainës, një ndeshje me karakter më pak konkurrues pas humbjes së fundit.
Pas takimit të zhvilluar në Valencia, vëmendja e sulmuesit pritet të zhvendoset tek e ardhmja e tij në nivel klubesh. Kampionati në Iran, ku ai aktivizohet me Esteghlal, mbetet i pezulluar, duke krijuar paqartësi për vazhdimësinë e tij sportive në këtë periudhë.
Në këto kushte, Asani pritet të marrë një vendim mbi vendin ku do të vijojë stërvitjen dhe përgatitjet. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se janë në shqyrtim dy alternativa kryesore: një rikthim i mundshëm te Partizani ose kalimi te Shkupi.
Gjatë kësaj periudhe, sulmuesi ka shfrytëzuar ambientet e Partizanit për të ruajtur formën fizike në funksion të angazhimeve me Kombëtaren. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që, pas përfundimit të këtij muaji, ai të rikthehet në Shkup për të vijuar përgatitjet.
Lini një Përgjigje