
Në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, futbollisti “dardan”, Florent Hadërgjonaj ka dhënë një intervistë për mediat turke, ku ka folur për raportin e tij me këtë vend dhe objektivat me përfaqësuesen e Kosovës.
Mbrojtësi, i cili u aktivizua në minutat e fundit në përballjen ndaj Sllovakisë, theksoi se Turqia ka një rëndësi të veçantë në jetën e tij personale dhe profesionale.
“Kam luajtur në Turqi për gjashtë vite. Ky vend është si shtëpi për mua tani. Të dy fëmijët e mi kanë lindur këtu. Por në fund të ditës, ëndrra ime është të kualifikohem në Botëror me përfaqësuesen e Kosovës”, është shprehur Hadërgjonaj për “A Spor”.
Aktualisht, ai është pjesë e skuadrës së Alaniasporit në Superligën turke, ndërsa fokusi i radhës mbetet ndeshja e rëndësishme e “play-off”-it për Botërorin.
Kosova do të përballet me Turqinë më 31 mars, në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.

Lini një Përgjigje