
Klement Tërpin do të jetë arbitri i ndeshjes vendimtare mes Bosnjës dhe Italisë, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës.
43-vjeçari francez konsiderohet një nga gjyqtarët më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar mbi 600 ndeshje, ndër të cilat më shumë se 100 në kompeticionet evropiane si Champions League, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës.
Ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij spikat drejtimi i finales së Ligës së Kampioneve mes Liverpulit dhe Real Madridit në Paris, si dhe finales së Ligës së Europës në vitin 2021 në Gdansk, mes Vijarrealit dhe Mançester Junajtid. Tërpin ka qenë gjithashtu arbitër në ndeshje të rëndësishme të Botërorit dhe Kampionatit Evropian.
Sa i përket përvojës me kombëtaren italiane, Tërpin ka gjykuar në pesë ndeshje të “të kaltërve”, me një bilanc prej tre fitoresh dhe dy humbjesh. Një nga këto disfata mbetet veçanërisht e rëndë për Italinë: humbja në Palermo ndaj Maqedonisë së Veriut, që çoi në mungesën e saj në Botëror për herë të dytë radhazi.
Lini një Përgjigje