
Ernest Muçi po kalon një moment të shkëlqyer forme në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist në takimin mes Bashaksehir dhe Trabzonsporit, të vlefshëm për javën e katërt të Kupës së Turqisë, duke dhënë asist vetëm gjashtë minuta pas nisjes së sfidës.
Shqiptari shërbeu për Felipe Augusto, i cili realizoi golin e avantazhit për Trabzonsporin, duke konfirmuar ndikimin e menjëhershëm të Muçit në lojën e skuadrës.
Në 10 paraqitjet e fundit me Trabzonsporin, përfshirë edhe ndeshjen në zhvillim, 24-vjeçari ka regjistruar 6 gola dhe 5 asiste. Kjo përkthehet në më shumë se një kontribut goli për ndeshje, një rendiment i lartë për një sulmues shqiptar në Superligën dhe Kupën e Turqisë.
Këto shifra dëshmojnë një periudhë pozitive për Muçin, i cili po shndërrohet në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij në këtë fazë të sezonit.
Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, mbetet e paqartë nëse trajneri i Kombëtares, Silvinjo, do ta përfshijë Muçin në listën për ndeshjen e fazës “play-off” ndaj Polonisë, e planifikuar për 26 mars.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi ftesat, ndërsa vendimi i stafit teknik pritet me interes, duke parë performancat e fundit të sulmuesit kuqezi.
Lini një Përgjigje