TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Mars 2026, 19:04

Nga pasaportat e Pilos e Pllanës te risitë në kombëtare, zbardhet axhenda e kuqezinjve për “play off”-in me Poloninë

Shkruar nga Pamfleti

Nga pasaportat e Pilos e Pllanës te risitë në kombëtare,

Shqipëria do të luajë në fund të muajit mars një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj futbollistike. Kombëtarja kuqezi do të përballet me Poloninë në fazën “Play-Off” të Kupës së Botës dhe, në rast fitoreje, do të sigurojë kalimin në finalen vendimtare për një biletë në Botëror.

Sipas formulës së përcaktuar, nëse Shqipëria kalon Poloninë më 26 mars, më 31 mars do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në orën 20:45 dhe në transfertë për kuqezinjtë.

Organizim i vështirë dhe skenarë të hapur për finalen

Përgatitjet për këto sfida kanë nisur prej javësh nga stafi teknik dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Përveç aspektit sportiv, organizimi paraqitet kompleks, pasi të dyja ndeshjet do të luhen jashtë vendit dhe vendi i finales mbetet ende i paqartë.

Nëse rivali do të jetë Suedia, ndeshja pritet të zhvillohet në Stokholm. Në rast se përballet me Ukrainën, takimi do të luhet në Spanjë, pasi për shkak të luftës me Rusinë, Ukraina nuk i zhvillon ndeshjet në territorin e saj.

Edhe në rast eliminimi, Shqipëria do të luajë një miqësore me humbësin e çiftit Ukrainë–Suedi, çka shton më tej vështirësitë organizative, duke qenë se brenda pak orësh duhet të sigurohen akomodimi dhe fluturimet për ekipin.

Risi të mundshme në listën e Silvinjos

Në prag të këtyre përballjeve, priten ndryshime në listën e trajnerit Silvinjo. Sipas raportimeve mediatike, mbrojtësit Stavro Pilo dhe Bujar Pllana janë pranë pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm për të përfaqësuar Shqipërinë.

Stavro Pilo, i njohur në Greqi si Stavros Pilios, aktivizohet me AEK-un në kampionatin grek dhe ka qenë titullar i rregullt. Ai është me origjinë nga Finiqi i Delvinës dhe ka shprehur publikisht dëshirën për të veshur fanellën kuqezi. Pilo luan si mbrojtës i majtë.

Bujar Pllana, i cili ka përfaqësuar më herët Kosovën U19 dhe U21, aktivizohet në kampionatin polak me Legia Gdansk. Ai luan si qendërmbrojtës, por mund të mbulojë edhe krahun e djathtë të mbrojtjes. Të dy lojtarët janë në pritje të pajisjes me pasaportë shqiptare, procedurë që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Publikimi i listës dhe grumbullimi

Ndeshja e parë kundër Polonisë do të luhet më 26 mars, ndërsa lista e lojtarëve të grumbulluar pritet të publikohet më 20 ose 21 mars. Grumbullimi zyrtar do të nisë të hënën pas shpalljes së listës, me seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” më 23 mars.

Shumica e seancave stërvitore do të zhvillohen në Tiranë, ndërsa stërvitja e fundit do të mbahet në Varshavë, një ditë para ndeshjes me Poloninë. Udhëtimi do të kryhet me avion çarter.

Nuk përjashtohet mundësia e mungesave në seancat e para, pasi disa lojtarë do të jenë të angazhuar me klubet e tyre deri në fundjavë.

Një hap larg historisë

Nëse Shqipëria arrin të fitojë dy ndeshjet e “Play-Off”-it, do të sigurojë për herë të parë në histori pjesëmarrjen në një Kupë Bote. Kuqezinjtë e siguruan vendin në këtë fazë pas një paraqitjeje të fortë në grup, ku u renditën të dytët pas Anglisë, duke lënë pas Serbinë.

Shorti i lirë për finalen nuk rezultoi i favorshëm për Shqipërinë, e cila do të luajë sërish në transfertë.

kombëtarja shqiptare "play off"-i me poloninë

Lini një Përgjigje