
Shqipëria e vajzave e ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027, duke mposhtur në transfertë Malin e Zi me rezultatin 1-2 dhe duke siguruar tre pikë të rëndësishme në startin e eliminatoreve. Protagoniste absolute e sfidës ishte kapitenia Megi Doçi, autore e të dy golave për përfaqësuesen kuqezi.
Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion titullar: Antigoni Hyska në portë, Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Mikaela Metalla, Fortesa Berisha, Ilarja Zarka, Qëndresa Krasniqi dhe Megi Doçi.
Minutat e para të takimit u karakterizuan nga lojë e kujdesshme dhe ekuilibër mes dy skuadrave. Mali i Zi regjistroi një rast të rrezikshëm në 10-minutëshin e parë, por portierja Hyska reagoi saktë.
Rasti më i mirë për Shqipërinë në pjesën e parë erdhi në minutën e 17-të, kur Fortesa Berisha depërtoi nga e djathta dhe goditi drejt portës, por portierja vendase ndali topin. Në vijim, Berisha, Krasniqi dhe Doçi krijuan mundësi të tjera për të zhbllokuar rezultatin, por pa sukses. Fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një moment të rrezikshëm për vendaset, ndërsa Shqipëria reagoi në minutën e 51-të, kur pas një krosimi të Krasniqit, Doçi provoi me kokë, por portierja malazeze ndërhyri sërish me sukses.
Kuqezezat vijuan presionin. Franja rrezikoi me një goditje mbi traversë pas një kombinimi të bukur me Krasniqin, ndërsa në minutën e 64-të Shqipëria ishte shumë pranë golit, por tentativa e Doçit u ndal nga reagimi vendimtar i portieres kundërshtare.
Në momentin më të mirë të lojës për Shqipërinë, Mali i Zi kaloi në avantazh në minutën e 67-të me golin e kapitenes Kuc.
Reagimi i skuadrës së Grimës ishte i menjëhershëm. Vetëm tre minuta më pas, Krasniqi dërgoi një top të saktë në zonë dhe Megi Doçi realizoi për 1-1, duke rikthyer baraspeshën.
Goli i fitores erdhi në minutën e 76-të. Sërish Doçi mori përgjegjësinë, duke shënuar nga goditja e dënimit dhe duke vulosur rezultatin 1-2 për Shqipërinë.
Me këtë fitore me përmbysje, Shqipëria e vajzave e nis me tri pikë rrugëtimin drejt Botërorit 2027. Skuadra do të zhvillojë ndeshjen e dytë kualifikuese më 7 mars, në orën 18:00, ndaj Çekisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Hyrja do të jetë falas për tifozët, ndërsa takimi do të transmetohet në FSHF TV.
Lini një Përgjigje