
Anis Mehmeti po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar është duke shënuar rregullisht në Championship, kategoria e dytë e futbollit anglez, duke spikatur me paraqitjet e tij fillimisht te Bristol Sitin dhe më pas te Ipsuiçin.
Sipas përditësimeve të fundit në portalin e specializuar “Transfermarkt”, vlera e Mehmetit ka pësuar një rritje të konsiderueshme. Nga 10 milionë euro që ishte më parë, ajo ka arritur në 14 milionë euro, duke shënuar kështu shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë për 23-vjeçarin.
Kjo rritje reflekton formën e tij të mirë në kampionat dhe ndikimin në skuadër gjatë sezonit aktual.
Me këtë vlerësim të ri, Mehmeti renditet si futbollisti me vlerën më të lartë në Kombëtaren shqiptare, duke kaluar mesfushorin Kristjan Asllani, i cili vlerësohet me 13 milionë euro.
Megjithatë, ndonëse kryeson për nga vlera në treg, Mehmeti nuk është pjesë e planeve të trajnerit të Kombëtares, Silvinjo. Sulmuesi nuk është ftuar që nga viti 2023, kohë kur vlerësimi i tij në treg ishte vetëm 1.2 milionë euro.
Situata krijon një kontrast mes formës aktuale dhe mungesës së grumbullimit në Kombëtare. Deri më tani, nuk ka një deklaratë zyrtare që shpjegon arsyet e mungesës së tij në listat e fundit.

Lini një Përgjigje