
Jasir Asani ka lënë Iranin dhe aktualisht ndodhet i sigurt në Turqi, pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ndodhej në Teheran në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj kryeqytetit iranian të shtunën.
Në një reagim publik, Asani bëri të ditur se klubi i tij, Esteghlal FC, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta larguar nga zona e konfliktit. Ai ka shprehur gjithashtu shpresën që situata të qetësohet dhe paqja të rikthehet në vend.
“Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë dhënë dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani.

Nga Irani është larguar edhe futbollisti tjetër shqiptar, Regi Lushkja, i cili sipas burimeve ndodhet në një zonë të sigurt.
Situata aktuale ka ngritur pikëpyetje mbi vijimësinë e kampionatit iranian dhe rikthimin e futbollistëve të huaj në vend. Ende nuk ka një vendim zyrtar nëse Asani dhe lojtarët e tjerë të huaj do të rikthehen për të vazhduar sezonin, pasi gjithçka mbetet e varur nga zhvillimet politike dhe të sigurisë.
Në këto rrethana, nuk përjashtohet mundësia që FIFA të lejojë futbollistët që aktivizohen në kampionatin iranian të ndryshojnë ekip gjatë kësaj faze të sezonit, megjithëse deri tani nuk ka një njoftim zyrtar në këtë drejtim.
Asani u transferua në verën e kaluar nga Koreja e Jugut drejt Iranit, por aventura e tij në futbollin iranian është ndërprerë për shkak të zhvillimeve të fundit. Rajoni i Gjirit Persik ndodhet aktualisht në një situatë të tensionuar, me raportime për sulme me raketa dhe dronë mes vendeve të përfshira në konflikt.
Për shkak të situatës së sigurisë, aktivitetet sportive në Iran dhe në disa vende të Gjirit janë pezulluar. Siguria e sportistëve dhe stafit konsiderohet prioritet.
Ndërkohë, FIFA po ndjek nga afër zhvillimet. Irani, i cili ka siguruar kualifikimin për në Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada, po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes, megjithatë deri tani nuk ka një vendim përfundimtar.
Lini një Përgjigje