
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kësaj jave në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë do të nisin me një minutë heshtje.
Ky vendim vjen në nder të kujtimit të ish-kryeministri të Shqipërisë, Fatos Nanos dhe një nga figurat e rëndësishme të tranzicionit politik në vend, i cili u nda ditën e sotme nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Ky homazh vjen si shenjë respekti për figurën e tij dhe kontributin në jetën publike të vendit. Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano në këtë moment të vështirë.
Fatos Nano u nda ditën e sotme nga jeta në moshën 73-vjeçare, një figurë politike që edhe sportin e ndihmonte duke mbajtur fjalën dhe premtimin e tij.
Nano vuante nga një sëmundje e rëndë dhe prej disa ditësh ishte i shtruar në spital, për të marrë mjekimin e nevojshëm.
Fatos Nano ishte themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së Punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.
Lini një Përgjigje