
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në “Real Story” foli për paraqitjet e Kombëtares në rrugën e kualifikueseve për “EURO 2024”. Ai tha se ekipi po i bën mirë detyrat dhe kjo është meritë e lojtarëve dhe trajnerit.
Duka u pyet për performancën e Jasir Asanit, i cili shënoi gol spektakolar kundër Polonisë. Sipas Dukës, riafrimi i tij në Kombëtare është meritë e trajnerit Silvinjo.
“Asani e ka ndihmuar shumë ekipin sepse e ka zhbllokuar rezultatin në dy ndeshje, kundër Moldavisë në Tiranë dhe ky kundër Polonisë. Goli kundër Polonisë ishte fantastik. E ka ndihmuar shumë ekipin. Është futbollist shumë i mirë. Është për t’i dhënë merita Silvinjos për riafrimin e Asanit. Silvinjo që në muajin e parë pasi ka studiuar videot e tij dhe ka menduar se duhet të ishte në kombëtare dhe ia ka shpërblyer këtë”, tha ai.
Ndërkohë, Duka foli edhe për djaloshin Mirlind Daku, i cili vulosi rezultatin në 2-0 kundër Polonisë, gol i cili i solli qetësinë e kërkuar ekipit tonë në “Air Albania”. Sipas Dukës, goli i Dakut solli “qetësinë elektrizuese” në stadium.
“Në Çeki për minutat që luajti, luajti mirë, e ndihmoi skuadrën. Këtu e ndihmoi akoma më shumë skuadrën me gol. Në minutat e mbetura nuk është se Polonia na rrezikoi, por gjithsesi të gjithë ne në stadium ishim të emocionuar dhe ajo qetësia që na dhuroi Daku, nuk ka pagim”, tha ai.
Lini një Përgjigje