
Bylis-Tirana, ndeshja e dytë për javën e parë të Superiores ka përfunduar në barazim pa gola, e luajtur në stadiumin “Adush Muça”. Bardheblutë vinin me shumë ndryshime këtë sezon, ku padyshim duan të harrojnë “makthin” e përjetuar sezonin e kaluar ku siguruan qendrimin në Superiore, vetëm pasi mundën në “play-off” Pogradecin. Tirana vjen me një trajner të ri këtë sezon, Vangjel Mile dhe me disa afrime në merkato.
Bylisi në anën tjetër, synimin kryesor ka padyshim qendrimin në elitë dhe sigurisht që pika më e fortë për ballshiotët mbeten ndeshjet në shtëpi, aty ku janë një kundërshtar i fortë për këdo. Këtë sezon udhëhiqen nga një trajner ekspert si Mirel Josa.
Ajo që ra në sy në këtë takim ishte numri i lartë i lojtarëve të huaj për të dy ekipet. 15 lojtarë të huaj dhe vetëm 7 shqiptarë, nga ata që nisën takimin, duke shënuar kështu një rekord të “dhimbshëm”.
Pjesa e parë ishte e barabartë për të dyja ekipet, por Tirana iu afrua më shumë golit në fund të pjesës së parë. Patsatsia tentoi të shënonte një supergol nga distanca, por goditja e mesfushorit ndalet nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0.
Në pjesën e dytë, të dyja ekipet provuan shanset e tyre. Në minutat shtesë, Bylisi mbeti me një lojtar më pak, pasi Mustafa u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR, pasi goditi mesfushorin e bardhebluve, Soler. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, 0-0. Bylisi dhe Tirana kënaqen me nga një pikë në javën e parë të sezonit të ri të Superiores. Në orën 20:00, luhet sfida tjetër për sot Elbasani-Flamurtari.
Lini një Përgjigje