Brazili është përfshirë sërish nga shqetësimi për gjendjen fizike të Nejmarit. Sulmuesi brazilian, i përfshirë nga Karlo Ançeloti në listën paraprake për Botërorin e kësaj vere, është ndalur edhe një herë nga problemet muskulore.
Ylli i Santosit pësoi dëmtimin gjatë stërvitjes me klubin brazilian dhe u detyrua të mungojë në përballjen e Kupës së Amerkës ndaj San Lorencos. Situata ngriti menjëherë alarmin në kampin brazilian, duke rikthyer dyshimet mbi gatishmërinë e tij për turneun e madh.
Koordinatori i stafit mjekësor të Santosit, Rodrigo Zogaib, konfirmoi se Nejmari vuan nga një edemë e lehtë në pulpë. Sipas stafit mjekësor, bëhet fjalë për një problem jo serioz, që pritet të rikuperohet brenda 10 ditësh.
Pavarësisht shqetësimit fillestar, optimizmi nuk mungon në kampin e Seleçaos. Nejmar pritet t’i bashkohet grupit javën e ardhshme dhe të vijojë normalisht përgatitjet me kombëtaren braziliane.
Megjithatë, sfida më e madhe për 32-vjeçarin nuk lidhet vetëm me rikuperimin fizik. Karlo Ançeloti ka vendosur një regjim të rreptë disiplinor në skuadër, ku askush nuk do të ketë privilegje, pavarësisht statusit apo historisë në kombëtare.
Sipas raportimeve nga Brazili, Nejmar do të duhet të respektojë katër kushte kryesore gjatë Botërorit. Sulmuesi nuk do të mbajë shiritin e kapitenit, pavarësisht eksperiencës dhe 128 paraqitjeve me kombëtaren. Gjithashtu, ai do të duhet të fitojë vendin e titullarit përmes performancës dhe jo emrit.
Ançeloti ka vendosur gjithashtu që Nejmar të ketë të njëjtin trajtim dhe të njëjtat orare si pjesa tjetër e skuadrës, ndërsa do të ketë kufizime edhe në përdorimin e rrjeteve sociale dhe aktivitetet personale mediatike gjatë turneut.
Lini një Përgjigje