
Atletiko e Madridit është skuadra e parë që siguron biletën për në fazën e 1/16-ave të Champions League përmes “play-off”-it, duke iu bashkuar tetë ekipeve të kualifikuara më herët nga faza e mëparshme e kompeticionit.
Pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në Bryzh, skuadra e drejtuar nga Diego Simeone arriti një fitore bindëse 4-1 në takimin e kthimit, të zhvilluar në stadiumin “Metropolitano”, duke siguruar kalimin në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 7-4.
Takimi u zhbllokua në minutën e 23-të. Pas një topi të gjatë të nisur nga portieri Jan Oblak, Aleksandër Sorlot përfitoi dhe realizoi me një goditje të fuqishme me të majtën, duke kaluar në avantazh vendasit.
Megjithatë, reagimi i Klub Bryzh ishte i shpejtë. Në minutën e 36-të, Xhoel Ordonjez barazoi shifrat me një goditje me kokë, pas një asisti po me kokë nga Brandon Meshele, në zhvillimet e një goditjeje nga këndi. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.
Fraksioni i dytë i lojës foli thuajse i gjithi për madrilenët. Vetëm tre minuta pas rifillimit, në minutën e 48-të, Xhoni Kordozo riktheu avantazhin për Atletikon e Madridit me një goditje të fuqishme nga jashtë zone. Ky ishte goli i parë i mesfushorit amerikan me fanellën e “Los Kolçoneros”.
Në minutën e 76-të, pas një kombinimi të bukur mes Grizman, Lukman dhe Sorlot, ishte sërish sulmuesi norvegjez që dërgoi topin në rrjetë, duke thelluar diferencën.
Sorlot vulosi paraqitjen e tij në minutën e 87-të, kur shënoi golin e tretë personal pas një krosimi të Mateo Ruxherit, duke kompletuar “hat-trick”-un dhe duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës.
Me këtë fitore 4-1, Atletiko e Madridit avancon në 1/16-at e Champions League, ndërsa aventura e Klub Bryzh në këtë edicion të kompeticionit përfundon në fazën “play-off”.
Lini një Përgjigje