
Rrjetet sociale po shndërrohen gjithnjë e më shumë në hapësira ku zhgënjimet sportive përkthehen në fyerje dhe sulme personale ndaj futbollistëve. Viktima e radhës e këtij fenomeni është portieri i Juventusit, Mikele Di Gregorio, i cili po kalon një nga momentet më të vështira që prej transferimit te bardhezinjtë në verën e vitit 2024.
Di Gregorio nuk ka arritur të bindë në ndeshjet e fundit, veçanërisht në përballjet ndaj Komos dhe Interit. Dy gabime në këto takime i kanë dhënë avantazh skuadrave kundërshtare, duke ndikuar në rezultatin final.
Megjithatë, kritikat sportive duket se kanë kaluar kufijtë e normales. Pas humbjes me Komon, portieri është detyruar të mbyllë sektorin e komenteve në profilin e tij në Instagram, për shkak të fyerjeve të shumta të marra në javët e fundit. Sipas raportimeve, ai është përballur jo vetëm me ofendime, por edhe me kërcënime që kanë përfshirë familjarët e tij.
E përditshmja italiane “Tuttosport” raporton se Di Gregorio është fyer edhe përpara nisjes së ndeshjes me Komon. Gjatë nxehjes, disa persona në tribunë i kanë drejtuar sharje dhe thirrje fyese, duke e etiketuar si “interist”, për shkak të së kaluarës së tij në akademinë e Interit.
Këto episode ngrenë shqetësime mbi sjelljen e një pjese të tifozërisë, ndërsa theksohet se përgjegjësia për periudhën negative të Juventusit nuk mund t’i atribuohet vetëm portierit.
Trajneri Luçiano Spaleti i është gjendur pranë futbollistit në këtë moment të vështirë. Nuk përjashtohet mundësia që Di Gregorio të pushojë në ndeshjen e ardhshme ndaj Gallatasarajit, një vendim që mund të shërbejë për të ulur presionin mbi të.
Situata e fundit rikthen në vëmendje debatin mbi kufijtë e kritikës sportive dhe rolin e rrjeteve sociale në nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj sportistëve.
Lini një Përgjigje