
Arsenali kthehet te fitorja në Premier Ligë.
Pas dy humbjeve radhazi të pësuara kundër Uest Hemit dhe Fulhemit, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta ka mposhtur me “manita” Kristal Palas në javën e 21 të kampionatit anglez.
Një fitore që i ka ndihmuar “Topçinjtë” të ngjiten në vendin e tretë të renditjes dhe të shkojnë përkohësisht vetëm dy pikë larg Liverpulit kryesues.
Londinezëve u mjaftuan 11 minuta lojë për të zhbllokuar ndeshjen e luajtur në “Emirates Stadium”. Autori i golit ishte qendërmbrojtësi Gabriel, i cili ishte edhe në rastin e golit të dytë duke shtyrë drejt autogolit Hendersonin.
Arsenali është skuadra që ka shënuar më shumë gola në Premier Ligë nga goditjet e këndit në këtë sezon, plot 9 të tilla.
Në minutën e 59, Troshard realizoi golin e tretë për vendasit pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga portieri Raja.
Në fundin e ndeshjes, në minutat 94 dhe 95, Martineli fiksoi shifrat në 5-0 me një dygolësh të shpejtë.
Lini një Përgjigje